Klubi i Laçit ka reaguar ashpër pas ndeshjes së humbur ndaj Egnatias sot, teksa ka shpallur “non grata” gjyqtarin Enea Jorgji. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, klubi kurbinas ka akuzuar kryesorin elbasanas se kishte vepruar në mënyrë të qëllimshme kundër tij.
Laçi akuzon gjyqtarin e FIFA-s se kishte provokuar lojtarët duke kërkuar edhe një “sqarim” me Melon në tunelin e dhomave të zhveshjes, ndërsa u kishte dhënë karton të gjithë atyre që rrezikonin pezullimin në ndeshjen e radhës.
POSTIMI I LAÇIT
Pas përfundimit të sfidës së vlefshme për javën e 20-të Abissnet Superiore përballë Egnatias dhe pas përballjes me disa situata aspak të këndshme iniciuar nga arbitri kryesor i ndeshjes që mban dhe të ashtuquajturën stemë të FIFA-s, Klub Futboll Laçi shpall NON GRATA Enea Jorgjin.
Çuditërisht, Jorgji kishte “studiuar” dhe kishte rezervuar nga një karton të verdhë (të paqenë) për të gjithë lojtarët që rrezikonin të humbnin ndeshjen e radhës duke treguar hapur tendencën për të dëmtuar ekipin.
Akoma më e rëndë dhe aspak profesionale për një arbitër të një niveli të “lartë” situata e krijuar me futbollistin Melo, ku përveç provokimeve ne fushë, kartonit të kuq që e kishte ndarë mendjen t’ia drejtonte akoma pa nisur sfida, nuk mungoi as trimëria e “tigrit” elbasanas në korridorin e stadiumit aty ku Jorgji preferoi të priste të “sqarohej” më tej me Melon dhe të shtonte dozën e ngacmimeve ndaj lojtarit.
Dikush t’i shpjegojë Jorgjit dhe të tjerëve si ai, që detyra e një arbitri në fushë është të mbajë nën kontroll lojën dhe të ulë gjakrat, jo ta bëjë baltë dhe të nxisë provokime duke detyruar protagonistët të dalin nga vetja.
KF Laçi dënon çdo sjellje të kryesorit të kësaj sfide gjatë ndeshjes së sotme dhe pas përfundimit të saj duke refuzuar kategorikisht që ky arbitër të drejtojë një ndeshje tjetër të ekipit tonë.