Ballafaqimi i parafundit i turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë në mes ekipeve të Laçit dhe Vllaznisë do luhet nesër (e mërkurë) në stadiumin e qytetit të Krujës. Takimi do luhet në orën 14.00 dhe të dy ekipet do kërkojnë patjetër marrjen e pikëve maksimale. Edhe laçianët pavarësisht se kanë grumbulluar deri tani vetëm dy pikë, kanë ambicjet e tyre për të pretenduar deri në fund zënien e një vendi që do t’i çonte në turin gjysmëfinal. Këtë objektiv patjetër që ka edhe Vllaznia që do kërkojë fitoren ose më së paku barazimin në mënyrë që me një fitore në takimin e fundit në Shkodër ndaj Flamurtarit, të jetë ajo në katër ekipet më të mira që do të vazhdojnë garën për ta fituar këtë trofe. Po nesër luhet në Vlorë edhe takimi tjetër shumë i rëndësishëm i këtij grupi, ai mes Flamurtarit dhe Skënderbeut. Sigurisht që ka interesim të madh për këtë sfidë megjithatë do jenë ndeshjet e fundit ata që do përcaktojnë dy skuadrat e turit tjetër. Sa për Vllazninë, fakti që luan në Krujë ndaj Laçit nuk përbën ndonjë favor sepse ato u ndeshën edhe pak kohë më parë po në këtë stadium për kampionat dhe kurbinasit fituan 1-0 me golin e Hysës. Çfarë do ndodhë këtë herë? Kjo mbetet për t’u parë por e rëndësishme është që Vllaznia po kalon momentin më të mirë të këtij sezoni. Kuqeblutë janë nisur sot në orën 18.00 nga Shkodra dhe e kanë kaluar natën në hotel “Nord Park” në Fushë-Krujë para se të ngjisin maloren e Krujës nesër afër drekës për të luajtur ndeshjen e rradhës së tyre.

www.shkodrasport.com