Laçi do të udhëtojë drejt Durrësit për t’u përballur me Tiranën e vendit të parafundit, për llogari të javës së 28-të të Superiores. Skuadra kurbinase duket në formë, pasi edhe në sfidën e fundit ndaj kuqebluve ia doli që të merrte një pikë, por pa që fitorja i shpëtoi nga duart.
Bardhezinjtë paraqiten në këtë përballje me disa mungesa. Së pari, ende nuk është saktësuar nëse Kordeiro do të jetë i gatshëm për këtë sfidë. Lojtari mungoi ndaj Vllaznisë për arsye personale. Nga ana tjetër, bardhezinjtë nuk do të kenë në fushën e lojës as mbrojtësin brazilian Kristian Da Lima. Në sfidën me shkodranët, futbollisti ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë dhe nuk do të jetë i gatshëm për skuadrën e Moireros. Me tre të verdhë mbetet Kordeiro, gjithmonë nëse luan.
TIRANA – Bardhezinjtë vitet e fundit kanë qenë të papërmbajtshëm ndaj kryeqytetasve. Bardheblutë, fitoren e fundit ndaj Laçit e shënojnë në 21 maj 2023. Kjo do të thotë se ka kaluar më shumë se dy vite e tetë muaj nga sfida e fundit e fituar e Tiranës, në çdo ndeshje tjetër, bardhezinjtë kanë dalë të pamposhtur nga fusha e lojës.
Në shtatë përballje, ata kanë fituar në tre prej tyre, ndërsa katër të tjera janë mbyllur në barazim. Për t’u shënuar edhe fakti që Laçi gjithmonë ka i hapur punë bardhebluve, që ndaj këtij kundërshtari vuajnë jo pak. Takimi i fundit mes dy ekipeve ishte dramatik, pasi Tirana dominonte në Kurbin me lojë dhe rezultat, por në pak minuta u shkërmoq dhe u detyrua të pranonte humbjen.