Paraqitjet e mira që ka bërë duke ruajtur portën e Vllaznisë në këto ndeshjet e fundit, kanë ngrohur të gjithë në Shkodër.

Padyshim në rradhë të parë stafin teknik sepse Alen Sherri po ua shpërblen besimin e tyre.

Së dyti edhe tifozët të cilët shohin duke u rritur një portier të së ardhmes dhe natyrisht që janë të kënaqur me këtë gjë sepse në fakt prej disa vitesh, portën e Vllaznisë e kishin “zaptuar” malazezët.

Por ndërkohë, sot, pikërisht në prag të ndeshjes me Partizanin, për Sherrin ka ardhur një tjetër lajm i mirë.

Ai i grumbullimit me kombëtaren U-21 për dy ndeshjet e rradhës eliminatore. Paraqitjet e mira me kuqeblutë kanë bindur mesa duket trajnerin Alban Bushi dhe stafin e tij për ta patur në skuadër djaloshin 20 vjeçar shkodran.

Në fakt Sherri ka qenë rregullisht pjesë e kombëtareve të moshave deri tek U-19 dhe një shkëputje e vogël, shërbeu për ta motivuar edhe më shumë të punonte dhe sot e sheh veten sërish në rradhët e kombëtares U-21 por me siguri që nuk do të ndalet këtu.

Në grumbullimin e rradhës, ai nuk do të jetë vetëm pasi pjesë e Shpresave do të jetë sërish edhe mesfushori Ardit Krymi.

Një dyshe që po luan mjaft mirë me Vllazninë dhe sigurisht që e meritonin një ftesë të tillë.
© shkodrasport.com