Mbrojtësi i Kombëtares, Marash Kumbulla ka pësuar një dëmtim në ndeshjen e cila po luhet në këto momente mes Veronës së tij dhe Breshias.

Nga pamjet duket se 19-vjeçari ka pësuar një tërheqje muskulore, ndërsa pas një konsultimi me mjekët është vendosur që lojtari të mos e vazhdojë më ndeshjen.

Kështu, sfida e Kumbullës me Balotelin në krahun tjetër është mbyllur shumë shpejt. Tashmë, shpresohet që mbrojtësi të mos ketë asgjë serioze dhe të jetë i gatshëm për t’u rikthyer sa më shpejt në fushat e blerta, duke pasur parasysh edhe ndeshjet e Shqipërisë në muajin nëntor.

Kumbulla po zhvillon një supersezon me Veronën, duke marrë vëmendjen e klubeve më të mëdha në Itali, përfshirë edhe kampionët e Juventus.

Ndërkohë, pjesë e kësaj sfide janë edhe dy shqiptarët e tjerë. Mbrojtësi Rrahmani për Veronën, i cili është titullar për të tijtë dhe nga krahu tjetër me Breshian, Emanuele Ndoj është i ulur në stol. / VipSport/