Futbollistët e talentuar shqiptarë do të kenë më pak mundësi që të shprehin talentin e tyre në elitën e futbollit në vendin tonë, pasi FSHF duket se është gati të miratojë kërkesën që kanë bërë 8 klube për të ndryshuar rregulloren e futbollistëve të huaj.

Janë 8 klube të Superiores, me përjashtim të Laçit dhe Kastriotit që nuk kanë dhënë mendimin e tyre, që kanë dorëzuar kërkesën për shqyrtim nga Ekzekutivi që të ndryshohet rregullorja e garës.

“Sa i përket shtimit të lojtarëve, nga Komisioni i Garave ka ardhur propozim me firmat e 8 klubeve. Komiteti Ekzekutiv mblidhet pasnesër dhe kjo është një nga temat e diskutimeve, për të cilën do të ketë një vendim.

Meqë federimet mbyllen me 31 gusht, ndonëse kampionati fillon këtë javë, klubet kanë kohë të bëjnë lëvizjet e rastit nëse miratohet”, u shpreh sot sekretari Shulku.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti i FSHF, Edvin Libohova, dukej thuajse i sigurt që ky propozim do të miratohej. “Zakonisht propozimet e bëra nga Komisioni i Garave janë miratuan, ne mendojmë se ky sugjerim i klubeve do të miratohet edhe këtë radhë”, tha Libohova i cili është përgjegjësi i caktuar nga Ekzekutivi i FSHF për mbarëvajtjen e kampionatit.

Duke llogaritur se prej vitesh futbollistët nga Kosova dhe ato nga Maqedonia luajnë si vendas në Suepriore, me ndryshimin e ri, nuk është çudi që klubet e Superiores së shpejti të hedhin në fushë një rreshtim me asnjë futbollist të prodhuar nga akademitë në Shqipëri. /vipsport/