Pas plot 10 javësh, arbitrat shkodranë do të rikthehen të drejtojnë sërish një ndeshje në Superligë. Një lajm që vjen shumë vonë megjithatë më mirë vonë se kurrë. Njerëzit përgjegjës për arbitrimin në FSHF kanë përzgjedhur që në një nga ndeshjet e javës së 12-të të Superligës që do të zhvillohen sot, të jenë pikërisht shkodranët. Kështu, në ndeshjen Kamza- Lushnja që do të luhet pasditen e sotme në stadiumin e Kamzës, do të arbitrojë një treshe arbitrash nga Shkodra.

Bëhet fjalë për arbitrin kryesor Idrit Myrtja dhe ndihmësat e tij Melis Dervishi e Fisnik Thorja ndërsa arbitër i katërt do të jetë tiranasi Ardian Beqiri. Arbitrat shkodranë kanë drejtuar deri më tani vetëm një ndeshje në Superligë, atë të javës së dytë në mes Flamurtarit dhe Lushnjës, e fituar nga vlonjatët 3-1. Rikthehen pas 10-javësh sërish në Superiore dhe për koinçidencë gjejnë përsëri Lushnjën për ta arbitruar dhe sërish në transfertë, këtë herë në Kamëz. Kjo treshe në fakt vlerësohet me shumë perspektivë dhe duket disi e çuditshme që deri më tani i kanë dhënë kaq pak ndeshje për të arbitruar. Vërtetë vetëm Dervishi ka përvojë sepse ka disa vite që arbitron në Superiore por dy të tjerët, Myrtja e Thorja kanë treguar se kanë shumë personalitet dhe mund të konsiderohen vërtetë e ardhmja e arbitrimit shqiptar.
© shkodrasport.com