Nga Maringlen ZHIVANI

Një lajm i mirë për Kolegjiumin e Arbitrave të Futbollit të Shkodrës për këtë sezon. Njëri nga anëtarët e tij, pikërisht anësori Ardit Çobaj është ngjitur në top-listën e arbitrave të Abissnet Superiore për sezonin 2024-2025.

Ai ka punuar fort gjatë kësaj periudhe pas disa vitesh arbitrim në Kategorinë e Parë dhe të Dytë, teksa tashmë ka fituar të drejtën për të qenë në mes arbitrave që do të gjykojnë në Superiore.

Në këtë sezon, 27-vjeçari shkodran e ka nisur duke qenë anësor në ndeshjen e Kategorisë së Parë, në mes Valbonës dhe Besës e më pas në ndeshjen e javës së tretë po të Kategorisë së Parë në mes Kastriotit dhe Lushnjës. Po në këto ndeshje duhet përmendur se arbitra të Kolegjiumit të Shkodrës, kanë qenë edhe Ditmir Grimci si kryesor dhe Jetmir Podgorica si anësor.

Siç shikohet, Çobaj ende nuk ka debutuar në Superiore, ndërsa nga ana tjetër ndeshjet në Kategorinë e Parë i ka me shumicë. Megjithatë, e rëndësishme është që të jetë aty dhe të presë momentin e tij për të treguar vlerat e veta./www.shkodrasport.com/