Një lajm i mirë për kolegjiumin e arbitrave të futbollit të Shkodrës për këtë sezon. Njëri nga anëtarët e tij, pikërisht kryesori Indrit Myrtja është rikthyer të jetë në top-listën e arbitrave të Kategorisë Superiore për sezonin 2020-2021.
Ai i ka dhënë fund “dënimit” prej një viti e gjysëm, çka u shoqërua me zbritjen e tij një kategori më poshtë, megjithatë Myrtja ka vijuar të punojë fort dhe ka fituar sërish të drejtën për të qenë në mes arbitrave që do të drejtojnë në Superligë.
Në këtë sezon, 30 vjeçari shkodran e ka nisur duke qenë arbitër i katërt në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë në mes Kastriotit dhe Burrelit, e më pas ka arbitruar si kryesor në ndeshjen e javës së parë të kategorisë së parë në mes Erzenit dhe Dinamos.
Ndërsa në ndeshjen e javës së tretë, atë Bylis- Skënderbeu, Myrtja ka qenë arbitër i katërt. Por në këtë ndeshje duhet përmendur se arbitri anësor i kolegjiumit të Shkodrës Mehmet Bega ka qenë asistenti i kryesorit Adrian Beqiraj.
Siç shikohet, Myrtaj ende nuk ka debutuar në Superligë si kryesor, ndërkohë që edhe ndeshjet në kategorinë e parë i ka me “pikatore”, megjithatë e rëndësishme është që të jetë aty dhe të presë momentin e tij dhe për të treguar vlerat e veta. /SHKODRA-SPORT.COM/