Më në fund vijnë lajme të mira për sportin shkodran. Kompeksi sportiv për të cilin ka kohë që flitet, mund të bëhet realitet që vitin e ardhshëm. Ajo çka është më e rëndësishmja, është gjendur toka se ku do të ndërtohet ai, por edhe financimi.

Gazeta “Shkodra Sport” në mënyrë ekskluzive mëson se për ndërtimin e këtij kompleksi do të bëhen bashkë katër palë, Qeveria Shqiptare, Federata Shqiptare e Futbollit, Bashkia Shkodër dhe Klubi i Futbollit Vllaznia.

Pak kohë më parë, pikërisht në ditën që kryebashkiaku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale ka qenë i planifikuar për t’u zhvilluar në Shkodër një takim në mes tij dhe presidentit të FSHF-së Armand Duka. Një takim me qëllim thjesht diskutimin e këtij projekti sepse kryebashkiaku kishte marrë një garanci për tokën, ndërsa institucioni i futbollit shqiptar do të kontribuonte për ndërtimin e tij.

Federata në fakt ka kohë që i ka kërkuar Bashkisë Shkodër gjetjen e terrenit dhe investimi ishte gati, por nga kjo e fundit gjithnjë ka dalë justifikimi se nuk ka tokë të lirshme, ndërkohë që nuk kishte fondet e mjaftueshme për blerjen e saj për ndërtimin e këtij kompleksi.

Por me ndryshimet në kreun e Bashkisë gjërat kanë marrë rrjedhë tjetër dhe mesa duket është gjendur edhe toka. Do të jetë i njëjti veprim që Qeveria shqiptare ka bërë edhe me klubin Partizanin duke i dhënë tokën e një ish- reparti ushtarak me qera 1 euro m2 për ndërtimin e stadiumit por edhe të disa fushave stërvitore.

Po ku është gjendur toka për ndërtimin e kompleksit në Shkodër. Gazeta e ka patur prej kohësh këtë informacion, por dje ndërkohë është bërë publik nga vetë kryeministri Rama në takimin që ka zhvilluar në Shkodër kur është shprehur:

“Kemi një projekt për Uzinën e Telave me Bashkinë, për kthimin e asaj zone tërësisht të degraduar, për ta kthyer atë në një destinacion kryesisht për të rinjtë, por edhe për të gjitha moshat, me terrene sportive, me aktivitet sportiv kryesisht por jo vetëm”.

Pra toka është gjetur. Bëhet fjalë për ish- Uzinën e Telave e cila vërtetë është e degraduar dhe shndërrimi i saj në një kompleks sportiv do ta tjetërsonte tërësisht atë zonë. Të mos harrojmë se disa metra larg saj, ka qenë fusha e vjetër e futbollit në Shkodër, ajo që të gjithë e kanë njohur me emrin “Ara e Pashës” ku Vllaznia i ka luajtur ndeshjet e saj nga viti 1913 dhe deri në fillimin e viteve ’50, kur është ndërtuar stadiumi “Vojo Kushi”.

Kjo do të thotë se Qeveria do ta kalojë këtë tokë- shtet në pronësi të Bashkisë Shkodër e cila më pas në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit do të ndërtojë 2-3 fusha futbolli, por njëkohësisht me fondet e veta mund të ndërtojë edhe terrene për sporte të tjera.

Gjasat janë që gjithçka të nisë shpejt sepse siç dihet në verën e vitit 2025 në Shqipëri do të zhvillohen finalet e Kampionatit Europian U17 dhe Shkodra është njëri nga katër qytetet e përzgjedhura për zhvillimin e ndeshjeve, por përpos stadiumit duhen edhe fushat e stërvitjes, të cilat mund të ndërtohen shumë shpejt.

Ja pra, që kur ka bashkëpunim mes palëve mund të gjendet toka, mund të gjendet financimi dhe gjithçka tjetër. Thjesht mjafton dëshira që në fakt duket se ka filluar të vijë në Shkodër…