Pas shumë lajmesh negative për Vllazninë, më në fund vjen një lajm i mirë për kuqeblutë. Kësaj skuadre i rikthehet pas plot 10 muajsh një lojtar i cili do të shtojë edhe më shumë organikën. Bëhet fjalë për Ambroz Kapaklijën. 21 vjeçari ka kaluar dy vite të tmerrshme teksa është detyruar dy herë të operohet në ligamentet e gjurit. I ndodhi në vitin 2016 dhe u rikthye në stërvitje me ekipin por në shkurt të këtij viti u dëmtua sërish për herë të dytë në të njëjtin vend.

Pas operacionit të kryer në fillim të muajit prill në Itali dhe pas një periudhe të gjatë terapie, tashmë është gati për të luajtur. Madje e ka bërë një gjë të tillë ditën e djeshme teksa ka luajtur për 45 minuta në pjesën e dytë të ndeshjes së ekipit “Vllaznia B” ndaj Egnatias. Për fat të mirë, çdo gjë ka shkuar ashtu si duhet dhe Kapaklija e ka përballuar siç duhet ndeshjen. Edhe në ndeshjet e mbetura deri në fund të këtij muaji, ky lojtar pritet të aktivizohet disa minuta me ekipin e dytë në mënyrë që pastaj në janar kur të nisë faza përgatitore e ekipit të parë, të bashkohet me të dhe të jetë një pjesë e rëndësishme e tij. Natyrisht me shpresën se kalvari i vuajtjeve dyvjeçare për të, tashmë ka marrë fund.
© shkodrasport.com