Një lajm I mirë mbërrin për ekipin e volejbollit të meshkujve të Vllaznisë. Pjesë e tij në sezonin e ri do të jetë edhe volejbollisti I njohur Nikolin Qafarena.
Ai ka rënë dakord me trajnerin Ermal Kraja dhe më pas edhe me drejtuesit e klubit duke arritur marrëveshjen përkatëse për të vazhduar bashkëpunimin edhe për sezonin e ri.
Qafarena kësisoj vendos të rikthehet në Shkodër pas një aktivizimi gjashtëmujor me ekipin e Pejës ku arriti të shpallet edhe kampion I Kosovës.
Drejtuesit e kësaj të fundit kanë dashur ta mbajnë sërish edhe për sezonin e ri megjithatë ai ka vendosur të rikthehet tek Vllaznia.
Arsyeja është shumë e thjeshtë: Ka dashur ta ndihmojë këtë skuadër të rikthehet sërish në nivele të larta, siç ishte dy sezone më parë kur dhe u shpall kampione e Shqipërisë dhe ai ishte një nga protagonistët kryesorë të atij suksesi.
Duhet thënë se në sezonin e fundit kuqeblutë kanë lënë shumë për të dëshiruar në paraqitjen e tyre duke mos arritur dot të futen as në katër ekipet më të mira të kampionatit që luftuan më pas për fitimin e titullit kampion.
Një nga arsyet që çuan në atë paraqitje padiskutim që ka qenë edhe largimi I disa sportistëve. Por ndërkohë sezoni I ri ka nisur disi ndryshe.
Në krye të ekipit është emëruar trajneri I ri Ermal Kraja I cili po tenton ta përgatisë siç duhet atë për një paraqitje ndryshe në kampionatin e ardhshëm.
Një nga pikësynimet e tij, rikthimi I Nikolin Qafarenës në ekip, tashmë është plotësuar dhe kuptohet që gjërat janë më mirë.
Megjithatë në vijim do të shihet mundësia për të bërë edhe ndonjë lëvizje tjetër në mënyrë që Vllaznia jo vetëm të mos e diskutojë hyrjen në katërshe, por edhe të synojë fitimin e titullit kampion.
www.shkodrasport.com