Përpjekjet e drejtuesve të Vllaznisë për të forcuar skuadrën me basketbollistë cilësorë vazhdojnë. Pas dështimit të marrjes së shkodranit Daniel Lekndreaj, mësohet se ata janë duke u përpjekur që të realizojnë ndonjë goditje tjetër.
Përveç lojtarëve të huaj që do të vijnë për t’u provuar këto ditë, bëhet e ditur se ekipi shkodran përpara datës 31 dhjetor mund të realizojë një super-goditje.
Bëhet fjalë për afrimin e një lojtari cilësor nga kampionati shqiptar i cili nuk ka nevojë për provë sepse njihet mjaft mirë për vlerat e tij. Emri i këtij basketbollisti nuk bëhet i ditur nga drejtuesit kuqeblu sepse duan t’i paraprijnë ndonjë befasie, megjithatë bëhet e ditur se kemi të bëjmë me një sportist cilësor.
Presidenti Xhaferi ka vendosur “të zgjidhë qesen” dhe pas ofertës shumë të mirë financiare që i bëri Lekndreajt, po tenton të bindë një tjetër lojtar nga kampionati shqiptar.
Nuk ka shumë informacion nëse ky lojtar luan me Tiranën, skuadër që nuk po kalon momente të mira aktualisht, apo nga ndonjë ekip tjetër, megjithatë e rëndësishme është që kjo goditje të realizohet. Tifozët shkodranë janë në pritje të zhvillimeve të reja nga ky ekip sepse nuk mund ta shohin Vllazninë në vendin e fundit të renditjes.
© shkodrasport.com