Me ndeshjet e sotme, është mbyllur gjysma e parë e kampionatit të moshave dhe Vllaznia U19 në ndeshjen e fundit fitoi 2-1 në Tiranë ndaj Akademisë. Ndeshjet zyrtare për këtë ekip do të rinisin në mesin e muajit janar kur do të fillojë Kupa e Shqipërisë por deri atëherë ekipi i drejtuar nga trajnerët Luan Zmijani e Gjon Kola jo vetëm që nuk do të qëndrojë pushim, por do të zhvillojë edhe ndeshje miqësore.
Madje, të parën do ta këtë javën që vjen dhe për më tepër jashtë territorit shqiptar. Kjo ngaqë të enjten me datë 20 dhjetor, ky ekip është ftuar në Kosovë nga drejtuesit e klubit “Liria” e Prizrenit për të zhvilluar një ndeshje miqësore.
Dhe ajo çka është më interesantja, nuk bëhet fjalë për një ballafaqim me ekipin e 19 vjeçarëve të klubit kosovar, por me ekipin e të rriturve. Natyrisht që në raste të tilla nuk ka rëndësi rezultati por rritja e bashkëpunimit dhe shkëmbimi i eksperiencave.
Fakti që klubi kosovar ka ftuar ekipin kampion të Shqipërisë për 19 vjeçarët, është një vlerësim për ecurinë që ka patur ky ekip jo vetëm në sezonin e kaluar por edhe në sezonin aktual ku sërish është pretendent për fitimin e titullit kampion.
© shkodrasport.com