Nuk ka lajme të mira për Tiago Motën nga infermieria e Juventusit. Teun Kopmeiners duhet të qëndrojë jashtë fushave të paktën për një muaj. Mesfushori holandez iu nënshtrua ditën e djeshme analizave të detajuara në “J Medical” dhe konkluzioni ishte se ka një frakturë në brinjën e dytë të krahut të djathtë. Kjo gjë do ta mbajë jashtë fushave holandezit nga 4-6 javë, duke bërë që ai të humbasë disa sfida të rëndësishme, përfshirë edhe atë me Interin.
Kopmeiners u largua me dhimbje në sfidën ndaj Kaljarit, por fillimisht u mor si një dëmtim i lehtë. Motës i shtohet një tjetër dhimbje koke sepse ka humbur Bremerin për të gjithë sezonin, Gonzalezin për pak kohë, e gjithashtu Milik të paktën për tre muaj. Listës i shtohet edhe Kopmeiners, që dukej si i pazëvendësueshëm në mekanizmat e Juventusit.
ZËVENDËSUESI- Në pritje për t’u aktivizuar pas dëmtimit të Kopmeinersit janë Turam e Duglas Luiz. Të dy janë me karakteristika të ndryshme nga holandezi, por Mota nuk ka shumë opsione të tjera. Italo-braziliani do të provojë të konvertojë një prej tyre në rolin e Kopmeinersit, me shpresën se nuk do të pendohet.
OPSIONET- Mundësitë e tjera që Mota po shqyrton janë edhe lëvizja e disa lojtarëve që ndihen mirë në pozicionet aktuale. Jildiz mund të luajë pas shpinës së Vlahoviç, me Mbangulan që mund të fillojë si titullar në të djathtë. Gjithashtu pezullimi i Konseisaos pas kartonit të kuq, nuk heq mundësinë e një surprize tjetër nga Mota.
SURPRIZA- Livano Komenensia, ky është emri që nuk e keni dëgjuar shpesh më parë, por që mund ta dëgjoni në sfidat e radhës së Juventusit. Ai është alternativa që mund të vijë nga skuadra e dytë e Juves për të dhënë ndihmën e tij në emergjencën e Motës. 20-vjeçari do të qëndrojë në pritje, me shpresën se po thirret nga skuadra e parë.