Pavarësisht zërave të merkatos që e shohin atë pranë klubeve të ndryshme në Europë, Elseid Hysaj pritet të rinovojë shumë shpejt kontratën e tij me Napolin.
Ky lajm është përhapur sot pasdite me shpejtësi në portalet italiane ku saktësohet se mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare pritet të hedhë firmën që në muajin e ardhshëm në marrëveshjen e re.
Hysaj ka një kontratë që mbaron në vitin 2021 dhe një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh që vlen vetëm për jashtë Italisë.
Ndërkohë, trajneri Sarri i ka bërë të ditur klubit që në rast rinovimi të tij, dëshironte që të mbante sa më shumë prej futbollistëve të besuar dhe të gjithë e dinë që Hysaj është një prej tyre.
Ndaj te Napoli kanë menduar që të blindojnë për një kohë të gjatë futbollistin e krahut të djathtë i cili ka luajtur po aq mirë edhe majtas.
Kontrata e re pritet të zgjatët deri në vitin 2023 me një përmirësim të ndjeshëm të financave, duke kaluar tashmë shifrën e 1,2 milionë eurove në sezon që nga edicioni i ardhshëm.
Edhe klauzola e largimit pritet të pësojë ndryshim, pasi te Napoli janë të ndërgjegjshëm se tanimë shifra 50 milionë euro për klubet e mëdha angleze është lehtësisht e përballueshme. Ndaj edhe ajo pritet të ketë një modifikim.
Lojtari pritet që të nënshkruajë marrëveshjen e re brenda muajit prill, për të ndjekur gjurmët e futbollistëve të tjerë që kanë rinovuar kontratat e tyre me Napolin gjatë muajve të fundit. /vipsport/