Vllaznia u ndal ditën e djeshme në transfertë me Kukësin dhe tashmë, ndeshja e rradhës do të jetë në shtëpi me skuadrën e Tiranës, në “Klasiken” e futbollit shqiptar. Kuqeblutë kanë si objektiv të vetëm fitoren në këtë takim dhe do të bëhet maksimumi që ndeshja të zgjidhet sa më shpejt.

Ndërkohë, për trajnerin Goçe Sedloski grupi është edhe më i plotë. Dy mbrojtësit e krahëve, Erdenis Gurishta dhe Esin Hakaj, kanë shlyer pezullimin me kartonë që kishin ndaj Kukësit dhe do të jenë të gatshëm tashmë për stafin teknik dhe trajnerin Sedloski.

Poashtu, i gatshëm do të jetë edhe Geralb Smajli. Mbrojtësi shkodran u aktivizua edhe dje në pjesën e dytë me skuadrën e tij ndaj Kukësit dhe do të jetë gati për lojë ndaj Tiranës. Sigurisht për të luajtur duhet të fitojë konkurrencën me kapitenin Erdenis Gurishta, teksa një gjë e tillë duket mjaft e vështirë në pamje të parë.

Kujtojmë këtu se, Vllaznia renditet në vendin e katërt me 42-pikë të grumbulluara. Ndërkohë që, të njëjtën kuotë pikësh ka edhe Egnatia që renditet në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit, një pozicion ky që të dërgon direkt në Europë.
Maringlen ZHIVANI