Dy boksierët shkodranë, Asmer Bilali dhe Kristian Demaj i kanë sfiduar të gjithë kundërshtarët në peshat e tyre dhe kanë zënë vendet e para duke marrë edhe medaljet e arta në “Gongun e Artë”. Ndeshjet finale të këtij aktiviteti të rëndësishëm që u zhvillua për tre ditë me rradhë në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup në këtë mënyrë janë konkretizuar me sukses për dy boksierët e Vllaznisë.

Ata kanë fituar edhe në finalet e pasdites së sotme në ringun e Shkupit duke treguar jo më kot se janë dy vlera të rëndësishme të boksit shqiptar. Bashkë me diplomat e medaljet e arta, Bilali e Demaj kanë marrë edhe shpërblimin prej 600 eurosh për secilin që kanë dhënë organizatorët për secilin fitues të peshave respektive. Po ashtu, përveç këtyre dy boksierëve, me një kupë të veçantë është nderuar edhe trajneri i kombëtares shqiptare, shkodrani i mirënjohur Zef Gjoni si trajneri më i mirë i këtij aktiviteti. Ai në fakt e kishte deklaruar që përpara nisjes se kishte shpresa shumë të mëdha për suksesin e dy boksierëve shkodranë dhe objektivi i tij rezultoi i suksesshëm. Ndërkohë edhe tiranasi Sina ka bërë një paraqitje të mirë në finale por gjykimi ndaj tij ka qenë i njëanshëm dhe për rrjedhojë ai është renditur i dyti.