Atletët e Vllaznisë i dhurojnë Shkodrës një tjetër trofe, atë të Kupës së Shqipërisë për të rriturit, trofe ky që është i 13-ti rradhazi për ta.

Edhe në garat e zhvilluara pasditen e sotme në Elbasan, ata kanë rezultuar të suksesshëm duke dominuar mbi të gjithë ekipet e tjera dhe në përfundim të garave me 202 pikë të grumbulluara, janë shpallur fitues të Kupës.

Në vend të dytë është renditur Skënderbeu me 120 pikë (diferenca në renditje tregon më së miri edhe dominimin kuqeblu) ndërsa në vend të tretë është renditur ekipi i Tiranës.

Sa i takon garave, në 100 m fitues është shpallur atleti Daniel Guri me kohën 11″15 (kronometër elektronik), ndërsa atleti tjetër i Vllaznisë Lulzim Çangeli është renditur i treti.

Në 110 m/p atleti Ravio Rama ka zënë vendin e parë me kohën 15″10, ndërsa në vend të dytë një tjetër shkodran, Durjan Idrizaj me kohën 15″15.

Në garën 200 m fitues është shpallur i mirënjohuri Franko Burraj me kohën 21″58, ndërsa në vend të dytë është renditur atleti tjetër i Vllaznisë Lulzim Çangeli me kohën 22″08.

Edhe në 400 m në vend të parë është renditur Franko Burraj i cili ashtu si në 200 m tregon një dominim absolut ndaj të gjithë kundërshtarëve.

Në garën e kërcimit së gjati fitues është shpallur atleti shkodran që konkurron me Tiranën Izmir Smajlaj që ka arritur një rezultat të shkëlqyer, 8.02 metra. Në vend të dytë është renditur atleti i Vllaznisë Heldi Valikaj me rezultatin 7.45 metra dhe në vend të tretë një tjetër atlet i Vllaznisë Endri Rakaj me rezultatin 7.26 metra.

Në garën e kercimit trehapesh fitues është shpallur atleti i Vllaznisë Muhamet Çangeli me distancën 14.75 metra. Edhe në vend të dytë dhe të tretë janë renditur dy shkodranë, Durjan Idrizaj me 14.25 metra dhe Kolindo Kiri me 14.20 metra.

Vllaznia si ekip ka zënë vend të parë edhe në stafetën 4×100 metra me kohën 44″81 dhe me përbërjen Igli Shqarri, Lulzim Çangeli, Kolindo Kiri dhe Durjan Idrizaj.

Në këtë mënyrë atletët shkodranë arrijnë një tjetër sukses duke fituar edhe Kupën e Shqipërisë me të rriturit, trofe ky që është i 13-ti rradhazi për Vllazninë. Sukses ky i padiskutueshem fale punes se shkelqyer te trajnereve Albert Marashi, Dorian Tafa, Bruno Rrotani dhe Jetmir Jahaj.

Ndërkohë në garat e femrave spikat si zakonisht Erisa Rrasa e cila ka zënë vendin e parë në garën e kërcimit së gjati me distancën 5.72 metra. Po ashtu vend të parë ka zënë edhe atletja Brisilda Burri në garën e kërcimit së larti ndërsa atletja tjetër e Vllaznisë Elda Tula ka zënë vendin e dytë po në këtë garë./SHKODRA-SPORT.COM/