Nga Maringlen ZHIVANI
Ekipi i Vllaznisë në basketboll për femra ka pësuar një largim shumë të rëndësishëm nga oraganika e tij. Gazeta “Shkodra Sport” ka mësuar se basketbollistja më e mirë e Vllaznisë dhe njëherësh edhe pikëshënuesja më e mirë e kampionatit shqiptar, Bernada Rreshpja, nga dita e sotme është bërë pjesë e nje ekipi tjetër.
Basketbollistja në fjalë ka rënë dakord me drejtuesit e ekipit të Flamurtarit të Vlorës dhe prej ditës së sotme është bërë pjesë e tij. Rreshpja do të jetë pjesë e vlonjatëve për fazën play-off të kampionatit, aty ku Flamurtari synon të jetë pretendente dhe ta fitojë titullin kampion, por edhe për Ligën Unike. .
Një afrim me vlerë për vlonjatët ky që tashmë do të kenë në rradhët e tyre pikëshënuesen më të mirë të kampionatit shqiptar, siç është shkodranja Bernada Rreshpja.
Ndërkohë, Vllaznia me largimin e Rreshpjës apo edhe të Bokrinës, Musajës dhe Murçajt pak kohë më parë, sigurisht që pëson një firo jo të vogël, sepse është reduktuar ndjeshëm numri i basketbollisteve në dispozicion të trajneres Medina Mustafa.(www.shkodrasport.com)