Pak minuta pasi Partizani ka barazuar përballë Teutës në javën e shtatë të Superiores, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në shtëpinë e kampionëve. Portieri i dytë i skuadrës, Aldo Teqja ka rënë nga kati i gjashtë i shtëpisë dhe ka përfunduar në spital në gjendje të rënë.

Lajmi u bë i ditur nga mediat pak minuta më parë teksa është konfirmuar edhe nga vetë klubi i kuq nëpërmjet një komunikate për shtyp. Fatmirësisht, Teqja ndodhet jashtë rrezikut për jetën edhe është në spital nën mbikëqyrjen e mjekëve.

“Klubi njofton se pjesëtari i ekipit Aldo Teqja siç edhe është raportuar në media ka pësuar një aksident menjëherë pas përfundimit të takimit Partizani – Teuta. Aktualisht portieri Teqja gjendet i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranës nën mbikëqyrjen e mjekëve, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Mjekët e spitalit janë duke monitoruar gjendjen e Lojtarit. Prezent në ambientet jashtë spitalit janë shokët e skuadrës, stafi dhe drejtues të Klubit”, shkruhej në njoftim. /VipSport/