Shkodranet përforcohen pas javës së katërt, ndizet lufta për kreun tek vajzat. Milica Daboviç dhe Eliverta Bujari. Këto janë dy përforcimet e reja të Vllaznisë në basketboll për femra, e cila drejtohet nga Bledar Gjeçaj, teksa janë federuar zyrtarisht në listën shkodrane.
E para, 37 vjeçe, është me një eksperiencë të gjerë, ndërsa ka luajtur dhe me Flamurtarin e Vlorës sezonin e kaluar. Pa harruar kontributin e saj në kombëtaren e Serbisë deri më 2016, ndërsa u fitua titulli Kampion Evrope në Budapest, si dhe u kualifikuan për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Ndërkohë ka luajtur me një sërë skuadrash në Malin e Zi, Serbi, Rusi, Lituani, Turqi, Greqi, Armeni, Poloni dhe Francë. Kurse Bujari gjen skuadrën shkodrane pas shkrirjes së Shoqatës së Klub Basketboll Tirana, kjo për arsye financiare, edhe pse ishte kampione e Shqipërisë për sezonin 2018-2019.
Për Vllazninë janë dy përforcime cilësore, ndërsa skuadra e Gjeçajt numëron dy fitore dhe dy humbje, e fundit ndaj Tiranës, në katër javë kampionati. Nuk duhet harruar që Flamurtari është me katër lojtare të huaja, një amerikane, një maqedonase dhe dy serbe.
E së paku këto lëvizje do të mund ta bëjnë kampionatin e femrave më cilësor, aq më tepër që kombëtarja e Shqipërisë është në prag të kualifikueseve të Evropianit, ndërsa në nëntor do të luajë përballë Lituanisë e Serbisë. Daboviç dhe Bujari kanë bërë tashmë dhe stërvitjen e parë me Vllazninë në basketboll për femra.
Gjergj Vyshka google news