Vllaznia U-17 ngjitet në vend të parë në renditje një javë para fundit të kampionatit. Ka ndodhur kështu pas vendimit të sotëm të Komisionit të Disiplinës i cili i ka dhënë tre pikë në tavolinë kuqebluve pas reklamimit të bërë prej tyre pak javë më parë në lidhje me ndeshjen me Olimpik. Ky komision e ka marrë në shqyrtim në disa mbledhje këtë reklamim dhe në fund ka dashur të dëgjojë të dyja palët. Klubi shkodran kishte depozituar në FSHF kasetën e ndeshjes Olimpik- Vllaznia 4-3 dhe fotot e ekipit të Olimpikut ku dallohej qartë se tre prej lojtarëve që u aktivizuan në atë ndeshje, nuk ishin pjesë e këtij ekipi.
Kjo gjë është pranuar ditët e fundit edhe nga vetë trajneri i Olimpikut para anëtarëve të Komisionit të Disiplinës se ka aktivizuar futbollistë të pafederuar. Në rrethana të tilla, Komisioni i Disiplinës në mbledhjen e tij të sotme ka vendosur t’i japë fitoren 3-0 në tavolinë Vllaznisë. Me këtë trepikësh, ky ekip është ngjitur në kuotën e 62 pikëve, duke lënë një pikë pas Shkëndinë e Tiranës. Në këtë mënyrë, nëse nesër kuqeblutë fitojnë në Tiranë ndaj Dinamos, do të jenë ato kampionët e këtij sezoni duke i bërë një mbyllje të shkëlqyer atij ashtu si Vllaznia U-19 që po nesër do të kurorëzohet kampione e Shqipërisë.
© shkodrasport.com