Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së në mbledhjen e fundit ka shqyrtuar gjithë problematikën e ndodhur në aktivitetet e javës së fundit në Kategorinë e Parë dhe të Dytë.

Beratasit kanë dalë më të ndëshkuarit nga tensioni i ndodhur në ndeshjen Devolli-Tomori. Disiplina e ka lënë Tomorin për një kohë të gjatë pa trajner, ku Droboniku është pezulluar me 5 ndeshje, ndërsa ndihmësi i tij Muxhaj është pezulluar me 13 ndeshje. Për Devollin ka vetëm gjobë financiare. Pa u ndëshkuar nuk kanë shpëtuar as Burreli, Veleçiku dhe Butrinti.

Ja vendimet e fundit të Komisionit të Disiplinës:

– Burreli, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Gjoba të aplikohet në masën 50%.

-Zyrtari i Burrelit, Arjan Lleshaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

-Lojtari i Veleçikut, Armeis Kukaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

-Lojtari i Veleçikut, Joald Ivziku, për sjellje të dhunshme dhe provokim të spektatorëve, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

-Butrinti, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Gjoba të aplikohet në masën 20%.

-Zyrtari i Butrintit, Mariglen Nela, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë. -Lojtari i Butrintit, Idakvo Eçe Dikson Amos, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve kundërshtar, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë. -Devolli, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke sjellë si pasojë ndërprerjen e përkohshme të lojës, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Gjoba të aplikohet në masën 20%.

-Zyrtari i Tomorit, Madrit Muxhaj, për sjellje të dhunshme dhe kërcënime ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 13 (trembëdhjetë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

-Zyrtari i Tomorit, Iken Dobroniku, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

-Lojtari i Tomorit, Xhoel Vrapi, për sjellje ofenduese dhe provokim të spektatorëve me gjeste dhe veprime josportive, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

-Zyrtari i Orikut, Sherif Idrizaj, për provokim të spektatorëve, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

-Zyrtari i FC Albanët, Xhek Alushi, për moszbatimin e vendimit të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës Nr. 43 datë 03.05.2024 pika 19, dënohet me 12 (dymbëdhjetë) ndeshje pezullim nga të gjitha veprimtaritë e organizuara nga FSHF.