Nga Maringlen ZHIVANI
Nga sot, Dritan Smajli ka marrë një detyrë të re. Ai është emëruar trajneri i ri i Ilirisë së Fushë-Krujës. Drejtuesit e këtij ekipi pas humbjes së djeshme ndaj Sopotit kanë vendosur shkarkimin e trajnerit Alfred Allamani dhe menjëherë kanë gjetur pasuesin e tij, i cili do të jetë Dritan Smajli. Ky i fundit do të nisë nga puna ditën e hënë. Një gjë e tillë konfirmohet për “Shkodra Sport” edhe nga vetë Smajli.
“Po, është e vërtetë që do jem trajner i Ilirisë së Fushë-Krujës. Sapo dola nga takimi që pata me drejtuesit e Ilirisë. Kemi rënë dakord që unë të jem trajneri i Ilirisë për periudhën në vazhdim të sezonit. Arsyeja që më çoi të marr këtë vendim ishte projekti që më ka premtuar presidenti i Ilirisë, Nazmi Selmani.
Besoj se edhe me grupin e futbollistëve që kemi, do bëjmë mirë dhe do e ngrejmë Ilirinë në Kategorinë e Parë, aty ku duhet të jetë. Ky do të jetë me patjetër objektivi jonë dhe kam besim të madh se do ta ringjisim Ilirinë në Kategorinë e Parë sërish. E them edhe njëherë tjetër, kam besim se do ia dalim”,-tha Dritan Smajli në një prononcim për “Shkodra Sport”.
Në këtë mënyrë, tashmë për skuadrën e Ilirisë së Fushë-Krujës nis një cikël i ri, duke ia besuar një emri të njohur si Dritan Smajli projektin e ringritjes së ekipit në Kategorinë e Parë./www.shkodrasport.com/