Nga Maringlen ZHIVANI

Mbrojtësi i djathtë i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, do të jetë një nga mungesat e rëndësishme të kuqebluve në përballjen e sotme “Klasike” ndaj Tiranës. Nga sa mësohet nga “Shkodra Sport”, ai është në pritje për t’u bërë baba dhe e ka të pamundur që të jetë ditën e sotme në fushën e lojës.

Në vendin e tij pritet që të jetë Eslit Sala, që herë pas here ka luajtur si mbrojtës i djathtë, që është edhe pozicioni i tij natyral. Në fakt, Gurishta është një mungesë e rëndësishme për trajnerin Thomas Brdariç, pasi performancat e tij kanë ardhur në rritje nga ndeshja në ndeshje.

Në ndeshjen ndaj Tiranës, do të mungojnë edhe Stojanoviç, Deliu dhe sulmuesi Matouti, duke shtuar këtu pastaj edhe mungesën e Gurishtës, shkon në katër numri i futbollistëve që nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Brdariç për takimin e sotëm.

Megjithatë, pavarësisht të gjithave, objektivi i vetëm i Vllaznisë në ndeshjen e sotme do të jetë marrja e tre pikëve. Kujtojmë se, ndeshja do të luhet në Lushnje, duke nisur nga ora 14:00.