Dy futbollistët e Tiranës, Gilman Lika dhe Erjon Dushku kanë rënë dakord me drejtuesit e Vllaznisë për të firmosur një kontratë me ta. Ndërsa futbollisti tjetër i bardhebluve, shkodrani Bekim Bala ende nuk ka gjetur akordin financiar me drejtuesit kuqeblu.Tre futbollistët e Tiranës, pasditen e sotme kanë mbërritur në Shkodër. Burime pranë klubit shkodran, bëjnë të ditur ekskluzivisht për gazetën online www.shkodrasport.com se bisedimet kanë zgjatur mbi 4 orë dhe janë zhvilluar në zyrat e Bashkisë. Kanë marrë pjesë nënkryetari I këtij institucioni Ritvan Troshani dhe dy drejtuesit e klubit, Kujtim Shaba dhe Armir Grima. Gilman Lika dhe Erjon Dushku kanë rënë parimisht dakord për shumat financiare që do përfitojnë në rast se vijnë tek Vllaznia. Nuk ka ndodhur kështu me sulmuesin Bekim Bala me të cilin nuk është arritur një akord në këtë drejtim. Palët e kanë lënë të bisedojnë sërish në ditët e ardhshme dhe me shumë mundësi edhe me Balën do gjendet mirëkuptimi për të firmosur. Të tre këtyre futbollistëve u është ofruar firmosja për një periudhë 1 vjet e gjysëm dhe palët kanë qenë dakord megjithatë këta lojtarë tashmë duhet t’I drejtohen Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF-së për të marrë leje-kalimin ngaqë tek Tirana vazhdojnë të mos I paguajnë. Gilman Lika të dielën edhe publikisht pat deklaruar se priste edhe 48 orë për të marrë rrogat dhe nëse nuk do t’I merrte, do kërkonte largimin nga Tirana. Dje ka kaluar ky afat dhe ai nuk ka mundur dot të qëndrojë pa rroga prej 4 muajsh por ka hyrë në bisedime me Vllazninë dhe ka arritur një akord paraprak. Njëlloj me të edhe Dushku ndërkohë që pritet edhe Bala të gjejë mirëkuptimin financiar me krerët kuqeblu.

www.shkodrasport.com