Plotësohet dëshira e stafit teknik të Vllaznisë. Pas volejbollistit bjellorus Yauheni Misiyuk, ditën e sotme ka mbërritur në Shkodër dhe më pas ka firmosur për kuqeblutë edhe volejbollist malazez Vuk Medenica. Ai luan në pozicionin 4 dhe është po 29 vjeç si dhe Misiyuk.

Çka do të thotë se ka një eksperiencë të madhe dhe kjo padyshim që do ta ndihmojë ekipin shkodran. I gjatë 1.95 metra, Medenica që ka luajtur kryesisht në vendin e tij me ekipin e Bijelo Polje me të cilin ka fituar edhe trofe dhe madje ka luajtur edhe në Kupat e Europës.

Me ardhjen e këtij lojtari tashmë Vllaznia është forcuar ndjeshëm dhe padyshim që do të tentojë deri në fund të fitojë si titullin kampion ashtu edhe Kupën e Shqipërisë. Trajneri Ermal Kraja e kishte bërë të ditur në fund të dhjetorit kur skuadra e tij u shpall “kampione dimri” dhe për të ruajtur vendin e parë deri në fund, duheshin përforcime.

Dhe ata tashmë erdhën. Me një sforco financiare të klubit gjithçka është rregulluar dhe tashmë Misiyuk e Medenica janë pjesë e Vllaznisë. Ditët në vazhdim do të shërbejë për ambjentin sa më të mirë të tyre me pjesën tjetër të ekipit derisa të nisin ndeshjet zyrtare.

Vëmendja më e madhe do jetë e përqendruar tek kampionati ku kuqeblutë do të kërkojnë titullin e dytë kampion në historinë e tyre por nuk do lënë pas dore edhe Kupën e Shqipërisë.
© shkodrasport.com