Nga Maringlen ZHIVANI

Starti jo i mirë i kampionatit që u shoqërua me pesë humbje dhe vetëm një fitore në gjashtë ndeshjet e para, ka bërë që situata tek ekipi i Vllaznisë në basketboll për meshkuj të mos jetë ajo e duhura.

Si rrjedhojë e kësaj situate, së fundmi ka ardhur edhe dorëheqja e trajnerit Damian Bekteshi. Ndërkohë, pas këtij vendimi nga ana e Bekteshit, drejtuesit e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia kanë nisur lëvizjet për emërimin e trajnerit të ri.

Kështu, nga sa mësohet ai që do të marrë drejtimin e Vllaznisë në basketboll për meshkuj është Eni Llazani, një emër shumë i njohur si ish-basketbollist i kuqebluve dhe i skuadrave të tjera. Ai ka drejtuar për disa vite ekipin e Kamza Basket, duke treguar ndeshje cilësore në periudhën që ai ka qenë trajner tek kjo skuadër.

Zyrtarizimi i trajnerit të ri të Vllaznisë që pritet të jetë Eni Llazani, do të bëhet në seancën e rradhës stërvitore, kur ai do të nisë punën me ekipin kuqeblu.