Vllaznia është padyshim skuadra më në formë e momentit në “Abissnet Superiore”. Tre fitore në tre ndeshjet e fundit në kampionat kanë bërë që kuqeblutë të konfirmojnë kandidaturën e tyre për titullin kampion.
Ndërkohë, pengesa e rradhës tashmë është Bylis, me të cilën shkodranët do të ndeshen ditën e nesërme. Realisht, në tre fitoret e fundit, Mirel Josa ka marrë sinjale pozitive dhe në këtë mënyrë, formacioni fitues nuk pritet të ndryshohet as për takimin ndaj Bylisit, teksa pritet të jetë tërësisht i njëjtë si në ndeshjen ndaj Laçit.
Kështu, në portë do të jetë gardiani Bojan Zogoviç. Në qendër të mbrojtjes, kapiteni Erdenis Gurishta do të formojë dyshen me kroatin Marko Juriç.
Sërish në të djathtë të mbrojtjes do të luajë Geralb Smajli, i cili mesa duket po bind trajnerin Josa me performancën e tij në këtë pozicion të fushës, pasi 20-vjeçari po luan në rolin e tij natyral. Ndërkohë, nga ana tjetër, në të majtë do të vijojë që të jetë Esin Hakaj.
Me skemën 4-3-3, në qendër të mesit të fushës do të luajnë Jonuzi, Alivoda dhe Marku. Ndërkohë, në majë të sulmit rikonfirmohet braziliani Kaina, pavarësisht se Josa do të ketë të gatshëm edhe sulmuesin shkodran Bekim Balaj.
Në krahët e ofensivës të sigurtë duket se janë Mala në të djathtë dhe Hoxhaj në të majtë. Kjo do të jetë edhe 11-shja që trajneri Mirel Josa pritet të hedhë në fushë nesër në Ballsh. Ndeshja Bylis-Vllaznia do të luhet ditën e nesërme në stadiumin “Adush Muça”, duke nisur nga ora 13:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalet e platformës “OverSport”. /Maringlen ZHIVANI/
Formacioni i Vllaznisë (4-3-3): Zogoviç, Smajli, Gurishta, Juriç, Hakaj, Jonuzi, Alivoda, Marku, Mala, Kaina, Hoxhaj Tr: Mirel Josa