Trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, mund të lërë drejtimin e ekipit kuqeblu dhe të rikthehet në futbollin kosovar. Të paktën kështu shkruajnë mediat sportive në Kosovë.
Tekniku kryeqytetas i është shtuar listës së kandidatëve për t’u emëruar trajner i Dritës së Gjilanit. Në fakt, ka qenë portali “Shqip.com” ajo që ka konfirmuar këtë lajm nga burime të sigurta të klubit gjilanas pranë skuadrës së Dritës.
Josa edhe më parë ka punuar në Kosovë në vitet 2017-2019 te Prishtina, teksa momentalisht është në drejtimin e Vllaznisë, ku në 13-javë të Abissnet Superiore ka arritur pesë fitore, katër barazime dhe katër humbje.
Kujtojmë këtu se, Drita ka mbetur pa trajner pas largimit të Ardian Nuhiut nga 24-nëntori, largim ky që erdhi pas katër viteve. Ky ekip u shpall kampion dimri në Superligën e Kosovës me 38-pikë, aq sa ka edhe Ballkani.
Maringlen ZHIVANI