Pasditen e sotme është ndarë nga jeta në moshën 77 vjeçare një nga emrat e shquar të sportit shkodran, Gjovalin Çuni. Themi sportit sepse ai ka qenë peshëngritës, mundës, gjimnast, e po ashtu edhe trajner peshëngritje, mundje por edhe boksi. Një personalitet i sportit i cili ka kaluar shumë vite pranë tij, ndoshta duke mos marrë vëmendjen e duhur.
Ka lindur në vitin 1941 dhe karrierën e nisi si peshëngritës ku arrin normën e Mjeshtrit të Sportit, që ishte një rezultat i lartë dhe përveç kësaj, arrin të shpallet një vit kampion. Karrierën e nisi herët me Vllazninë por më pas kalon tek Partizani kur shkon ushtar. Me të shpallet nënkampion në peshën gjysëm të mesme.
Rikthehet në Shkodër dhe i bashkohet përsëri Vllaznisë me të cilën shpallet kampion i Shqipërisë në vitin 1968 duke konkurruar në peshën -82.5 ku arrin të ngrejë 275 kg në dygarësh. Kaq sa i takon sportit të peshëngritjes por ndërkohë, Gjovalin Çuni është marrë edhe me mundje, madje aty ka qenë më i suksesshëm.
Në finalet e Spartakiadës së Parë Kombëtare në vitin 1959, ai zë vendin e parë. Po ashtu, shpallet kampion i Shqipërisë në vitin 1960, 1963 dhe 1966 duke konkurruar në stilin klasik. Pra, tre tituj kampion në mundje, çka i japin atij titullin “Mjeshtër Sporti”.
Në rininë e tij ka marrë pjesë edhe në gara të ndryshme gjimnastike, një tjetër sport i preferuar për të, duke arritur të shpallet deri kampion i qytetit por pa shkuar dot më tej. Pas lënies së sportit, nis rrugëtimin e tij të gjatë si trajner.
E fillon si trajner peshëngritje, më pas është trajner në mundje, nga duart e Gjovalinit do të dalin kampionë si Bajram Gruda e Agim Onuzi. Ndërkohë me fillimin e viteve ’90 dhe rihapjen e boksit në Shkodër, ai është një tjetër sport i preferuar i tij dhe bëhet edhe aty trajner.
Nga duart e tij kanë dalë disa sportistë të talentuar duke veçuar mbi të gjithë Sokol Buliqin. Kjo është historia e Gjovalin Çunit, sportistit polivalent që është ndarë pasditen e sotme nga jeta, por duke lënë pas një emër shumë të mirë për kontributin e tij në sport.
Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij për humbjen e njeriut të saj të dashur por edhe Sportklub Vllaznia për humbjen e një kampioni të madh. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!
© shkodrasport.com