Tronditet Partizani! “Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta pranë klubit se KAS-i nuk i ka zhbllokuar merkaton skuadrës kryeqytetase, duke lënë në fuqi dënimin që FIFA ka dhënë për çështjen “Çinari”.
Gazeta mëson se përgjigja e mbërritur nga KAS është përfundimtare, teksa “Demat e Kuq” do ta kenë të bllokuar merkaton për 2 sesione.
Dosja “Çinari”, si FIFA dënoi Partizanin
FIFA në faqen e saj ka zbardhur vendimin e plotë dhe të argumentuar të çështjes “Çinari”. Në këtë vendim gjyqi jepet me saktësi dëmshpërblimi që kanë kërkuar kroatët e Istras, kronologjia e plotë e kalimit të Çinarit nga një ekip në tjetrin dhe letërkëmbimet mes klubeve, pagesa e 20 mijë eurove nga spanjollët e Alavesh në një llogari fantazmë në Itali për Vllazninë deri te federimi i shkodranit me të kuqtë.
Në konkluzionin përfundimtar, Dhoma e Zgjidhjeve së Konflikteve në FIFA ka konsideruar pjesërisht të mirëqenë pretendimet e Istras, që është paditësi në këtë rast, ndërsa Erald Çinari është i padituri numër një, Partizani i padituri numër dy, ndërsa Vllaznia ka qenë në këtë proces si pjesë ndërhyrëse ku ka paraqitur në gjyq vetëm kontratën që ka pasur me lojtarin, gjë e cila solli edhe bllokimin e transferimit në Spanjë dhe Kroaci dhe më pas e shiti.
Në pjesën hyrëse të dosjes sqarohet se Partizani ka pagur 40 mijë euro te shkodranët për kartonin e Çinarit, kur dihet se më 29 korrik 2018 Vllaznia kishte fituar gjyqin me sulmuesin në DHZK-në pranë FSHF-së.