Nga Maringlen ZHIVANI

Pas shumë e shumë bisedimeve, Vllaznia duket se ka gjetur gjuhën e përbashkët me ish-sulmuesin e Skënderbeut dhe Partizanit, Alfred Mensah. Nga informacionet më të fundit që vijnë nga burime pranë futbollistit, por edhe pranë klubit kuqeblu, palët kanë rënë dakord dhe tashmë pritet vetëm hedhja e firmës në kontratë, e cila do të bëhet në orët në vazhdim. Në fakt, përveç Vllaznisë, Mensah kishte edhe oferta të tjera nga ekipe pretendente në Shqipëri, por edhe nga Zalgiris në Lituani.

Megjithatë, sulmuesi ganez ka zgjedhur Shkodrën si destinacionin e ri. Pas dështimit me Matouti, i cili nuk iu përgjigj pritshmërive të klubit për shkak edhe të problemeve fizike, kuqeblutë duket se kanë gjetur sulmuesin që mund të alternohet me Balajn. Po kush është Mensah? Në fakt, ai e njeh mirë kampionatin shqiptar dhe nuk ka nevojë për shumë kohë që të ambientohet.

Sulmuesi është aktivizuar për tre sezone me Skënderbeun dhe dy sezone me Partizanin, duke shënuar 24-gola me këto dy skuadra. 25-vjeçari, para gjashtë muajsh, pikërisht në verë u transferua te kampionët e Ballkanit, atje ku faktikisht ganezi nuk mori minutat që i nevojiteshin, teksa në të gjitha ndeshjet luajti si zëvendësues, duke u aktivizuar vetëm në gjashtë takime dhe numëruar gjithsej 54-minuta.

Afrimi i Mensah ka qenë i domosdoshëm te Vllaznia, pasi klubi kuqeblu po e kërkonte me çdo kusht një sulmues në merkaton e dimrit për të zëvendësuar në ndonjë ndeshje Bekim Balajn apo edhe për t’u alternuar me të.

Edhe trajneri Thomas Brdariç herë pas here e ka thënë hapur se Balaj nuk mund ta përballojë i vetëm gjithë kampionatin. Kështu që, drejtuesit kanë afruar edhe një tjetër qendërsulmues. Ndërkohë, me shkodranët përveç Alfred Mensah, pritet të firmosë edhe mbrojtësi Serjan Repaj. Tani mbetet vetëm zyrtarizimi i tyre./www.shkodrasport.com/