Kuqeblutë pasditen e sotme në Vlorë do të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv, çka do t’i ndihmonte jo pak ato në ecurinë e mëtejshme në kampionat. Për këtë arsye, stafi teknik po mundohet të gjejë lojtarët e duhur dhe mënyrën e duhur për të befasuar Flamurtarin. Trajneri Gjoka përveç lëvizjeve në formacion të cilat i deklaroi që ditën e djeshme, ka menduar edhe diçka tjetër.
Pra, përveçse kthehet në fushë Krymi që nga minuta e parë dhe Hasani do të luajë në krahun e majtë të mesfushës në vendin e Çinarit që përfundon në stol, do të ketë përsëri lëvizje. Por këtë herë jo në emra. Numri 1 i pankinës shkodrane ka menduar të ndryshojë vende dhe pikërisht në repartin e mbrojtjes. Kështu, Antonio Marku që ka luajtur zakonisht si mbrojtës i majtë, sot do të luajë në qendër të këtij reparti ndërsa Gurishta do të spostohet në të majtë. Arsyeja është se Gjoka mendon t’i besojë përvojë më të madhe që Marku ka si futbollist në mënyrë që të frenojë gabimet që mund të bëhen në qendër të mbrojtjes.
© shkodrasport.com