Vllaznia do të presë sërish ekipin e Egnatias, por kësaj here për javën e 31-të të Abissnet Superiore. Ky takim do të luhet ditën e sotme në orën 18:00 në “Loro Boriçi”. Gjatë këtyre ditëve, trajneri maqedonas që drejton Vllazninë, Goçe Sedloski, ka kërkuar që të fusë një frymë tjetër në skuadër për të krijuar kushtet që kuqeblutë të arrijnë të dalin fitimtarë në përballjen e pasditës së sotme.
Kështu sa i takon formacionit, nga sa është parë dhe nga sa mësohet nga “Shkodra Sport”, trajneri do të bëjë disa ndryshime, jo vetëm në emra, por edhe në skemën e lojës në të cilën do të vendosë futbollistët e tij në këtë përballje. Nga sa është mësuar, ai po shikon mundësinë që të rreshtojë ekipin me një 4-4-2, pra duke e bazuar lojën te një dyshe sulmuese, pikërisht ashtu siç edhe duan në Shkodër.
Në portë do të jetë Zogoviç, ndërsa katërshja e mbrojtjes do të jetë e përbërë nga kapiteni Gurishta, Shehi, Juriç dhe Hakaj. Shehi ka pasur pak hapësira në këtë sezon, por gjithsesi në takimet që është aktivizuar ka bërë më të mirën e tij të mundshme.
Ai do të zëvëndësojë në mbrojtje Darko Bulatoviç, i cili do të mungojë në këtë ndeshje së bashku edhe me mbrojtësin tjetër Geralb Smajli. Ndërkohë, edhe kapiteni Gurishta duket se është tërësisht i gatshëm pas disa problemve që kishte.
Katërshja e mesfushës pritet që të përbëhet nga Hoxhaj nga e djathta dhe njëri mes Markut e Latifit në krah, me këta dy të fundit që janë në një balotazh mes tyre dhe trajneri Sedloski ka akoma dilemat e tij. Ndërkohë, Jonuzi dhe Boshnjaku do të jenë në qendër.
Sulmi duket se do t’u besohet shtatlartëve Balaj dhe Kaina. Gjithsesi, mbetet për t’u pare deri në fund se me cilën skemë trajneri i kuqebluve Goçe Sedloski do të startojë takimin e sotshëm ndaj Egnatias.
Megjithatë, me shumë gjasa ai do të luajë me një 4-4-2, duke kërkuar shumë edhe nga shtatlartit e sulmit, Bekim Balaj dhe Kaina. Ndeshja Vllaznia-Egnatia do të luhet pasditën e sotme, duke nisur në orën 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në platformën TIBO nga kanalet e OverSport, nën komentin e komentatorit Gentjan Alinani. /Maringlen ZHIVANI/
Vllaznia (4-4-2): Zogoviç, Gurishta, Shehi, Juriç, Hakaj, Hoxhaj, Jonuzi, Boshnjaku, Marku (Latifi), Balaj, Kaina Tr: Goçe Sedloski