Vllaznia ka qenë sot shumë pranë firmës së dytë të rëndësishme në merkato, por në fund gjërat nuk kanë shkuar ashtu si duhet dhe në fund nuk ka patur akord mes palëve. E kemi fjalën për futbollistin Ardit Deliu.

26 vjeçari kavajas ka qenë sot në Shkodër dhe ka biseduar gjatë me drejtuesit e Vllaznisë. U duk se në orët e pasdites do të kishte edhe një komunikim zyrtar për firmosjen e kontratës dhe prezantimin e blerjes së dytë të kuqebluve, por nuk ka ndodhur kështu.

Gazeta “Shkodra Sport” mëson se Deliu nuk ka gjetur dot akordin me kuqeblutë dhe si rrjedhojë është kthyer sërish andej nga kishte ardhur. Mesfushori që mbylli sezonin me Tiranën, duket se ka ambicie për ta vazhduar karrierën tashmë jashtë Shqipërisë dhe konkretisht janë disa pista të mundshme për të ardhmen e tij.

Në këtë mënyrë, çështja e afrimit të Afrim Deliut te Vllaznia mbyllet këtu dhe drejtuesit kuqeblu tashmë duhet të shohin alternativa të tjera për mesfushën. Në planet e tyre janë disa emra, megjithatë duhet pritur se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme./www.shkodrasport.com/