Ndeshja e javës së nëntë të Superligës, ajo në mes Vllaznisë dhe Skënderbeut, mund të mos luhet në fushën sportive “Reshit Rusi”. Arsyeja është se Komisioni i Liçensimit pranë FSHF-së, pasi e ka vëzhguar nga afër këtë fushë, ka vërejtur disa mangësi dhe për rrjedhojë pritet që ajo të mos plotësojë kushtet e duhura për luajtjen e kësaj ndeshje.
Gjithsesi do të jetë ky Komision ai që do të japë vendimin përfundimtar dhe kjo gjë do të bëhet paraditen e sotme. Shkodranët në fakt e kishin ndarë mendjen për të luajtur në këtë fushë edhe pas aprovimit që morën nga FSHF-ja në fillim të javës. Por duket se ai ka qenë aprovimi fillestar sepse gjithçka do të vendosej më pas nga inspektimi që do t’i bëhej fushës. Nëse nuk liçensohet “Reshit Rusi” mbetet për t’u parë se ku do të luhet ndeshja Vllaznia- Skënderbeu. Ekziston ideja që kjo ndeshje të luhet në Korçë dhe ajo e fazës së dytë pastaj të luhet në Shkodër por janë edhe opsionet e Laçit dhe Kukësit.
© shkodrasport.com