Ka qenë në dyshim për ndeshjen e nesërme ndaj Apolonisë megjithatë duket se dilemat tashmë kanë marrë fund. Portieri malazez i Vllaznisë Miroslav Vujadinoviç do të jetë në portë në takimin e nesërm. Ai e ka lënë pas dëmtimin që ka patur në kavilje dhe prandaj do luajë në takimin e rradhës duke qenë kësisoj një garanci e madhe për skuadrën. Ai ka udhëtuar me ekipin drejt Fierit dhe kjo ka bërë që trajneri Vata të jetë më i qetë.
Por përveç tij, me ekipin ka udhëtuar edhe malazezi tjetër Popoviç por ky ende nuk dihet nëse do luajë apo do ta nisë ndeshjen nga pankina. Nëse luan, kjo do bënte që Gocaj të kalonte në mesfushë duke e plotësuar më shumë këtë repart që ndodhet në vështirësi në fakt pas mungesës së Belishës dhe kthimit të Muçës prapa. Formacioni kuqeblu sot do ketë disa mungesa megjithatë nëse luajnë edhe Nimani e Hasani, problemet do jenë më të vogla. Objektivi i Vllaznisë sigurisht është për të marrë fitoren në këtë ndeshje e cila do jetë e para për skuadrën në transfertë këtë sezon.