Ditën e sotme ndaj Bylisit, në ndeshjen e javës së nëntë të kampionatit të Abissnet Superiore, ekipi i Vllaznisë pritet të luajë me të njëjtin formacion si një javë më parë ndaj Laçit. Stafi teknik, me në krye trajnerin Mirel Josa, nuk ka ndërmend të ndryshojë atë 11-she që ka patur javën e kaluar, edhe pse janë rikthyer disa futbollistë nga dëmtimet.

Ashtu siç janë planet, në portë pritet të luajë Zogoviç, ndërsa në mbrojtje rreshtohen kapiteni Gurishta, Juriç, Bulatoviç dhe Smajli. Në mesfushë, planifikohen Kruja, Alivoda dhe Marku, ndërsa në sulm treshja Mala, Aralica dhe Hoxhaj.

Megjithatë, nëse trajneri Josa nuk ka ndërmend të ndryshojë sa i takon formacionit, sigurisht që do të ndryshojë jo pak gjëra për mënyrën e të luajturit. Kjo ngaqë për sfidën ndaj Bylisit, skuadra duhet të ketë karakter më sulmues me qëllim kërkimin me çdo kusht të fitores së katërt të kampionatit. Natyrisht që, nuk do të jetë e lehtë një gjë e tillë, sepse kuqeblutë kanë hasur probleme sa i takon gjetjes së golit.

Ndërkohë, përveç kësaj, edhe mënyra e lojës së skuadrës në këto ndeshje nuk ka qenë shumë sulmuese dhe kjo patjetër që duhet të ndryshojë për takimin e sotshëm, sepse duhet medoemos marrja e fitores në këtë ndeshje.

Vllaznia-Bylis është një sfidë shumë e rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të skuadrës shkodrane në kampionat. Në rast fitoreje të saj, kuptohet që ecuria e mëtejshme do të jetë shumë më pozitive.

Megjithatë, trajneri Mirel Josa nuk ka pasur dëshirë që ta marrë lehtë këtë sfidë ndaj Bylisit. Përkundrazi, ai ka punuar jo pak që futbollistët të mos e marrin lehtë përballjen me ballshiotët, të cilët edhe ata kanë treguar një formë të mirë sportive në javët e para të kampionatit. /Maringlen ZHIVANI/

Formacioni i Vllaznisë (4-3-3): Zogoviç, Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Smajli, Kruja, Alivoda, Marku, Mala, Aralica, Hoxhaj Tr: Mirel Josa