Enea Jorgji do të gjykojë ndeshjen e sotme mes Vllaznisë dhe Partizanit, e cila do të zhvillohet në orën 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.
Burime të “Panorama Sport” në FSHF konfirmojnë se sektori i gjykimit do të dërgojë në Shkodër vetëm dy anësorë dhe jo arbitra të linjës si në ndeshjen e Durrësit. Asistentët do të jenë gjithashtu nga Kolegjiumi i Elbasanit, pikërisht Emigres Gançi dhe Uran Korra.
FSHF konsideron si kryendeshjen e javës së 26-të atë mes Teutës dhe Laçit, e cila do të luhet sot në orën 16:00 në stadiumin “Niko Dovana”. Të paktën ky është vlerësimi që i ka bërë sektori i gjykimit, duke dërguar 6 arbitra në Durrës.
Gjithashtu “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në FSHF se gjyqtar kryesor i kësaj ndeshjeje delikate do të jetë Eldorian Hamiti, ndërsa anësorë Rejdi Avdo dhe Nertil Bregasi, të cilët mbajnë të tre stemën e FIFA-s.
Arbitra të linjës janë caktuar Kreshnik Cjapi dhe Olsid Ferataj të Kolegjiumit të Fierit dhe Patosit. Ndërsa si arbitër i katërt është vendosur Ilir Tartaraj.