Nga i 257-ti në vendin e 157-të në Botë. Ky është lajmi i mbrëmjes për Nelson Hysën, boksin shkodran dhe atë shqiptar. Fitorja e së dielës ndaj çekut Pavel Sour i ka sjellë lajmin e gëzueshëm boksierit shkodran Nelson Hysa.
Nga vendi i 257 në Botë kur ndodhej përpara kësaj ndeshje, tashmë faqja e njohur “boxrec” e ka ngjitur në vendin e 157-të, në mes 1341 boksierëve që janë të rregjistuar. Pra një rritje galopante prej 100 vendesh njëherazi, çka tregon më së miri për rëndësinë e kësaj fitoreje.
Hysa e dominoi ndeshjen ndaj Sour në të gjitha drejtimet nga fillimi e deri në fund dhe si rrjedhojë, tre vendimet e gjyqtarëve të tavolinave ishin dukshëm në favorin e tij, konkretisht 60-53, 60-52 dhe 60-52. Kuptohet që kjo fitore ishte e rëndëisshme për boksierin shkodran pasi rivali i tij nga Çekia deri në atë ndeshje mbante vendin e 200-të në renditjen botërore.
Kuptohet që publikimi gjatë ditës së sotme i ndryshimeve në renditje dhe ngjitja e kampionit të shquar shqiptar në vendin e 157-të është lajmi i ditës. Vetë Nelsoni pak ditë më parë për “Shkodra Sport” deklaroi se synimi i tij gjatë vitit 2023 është renditja në 100-shen e parë, por duket se kjo ngjitje po bëhët më shpejt nga sa e kishte menduar dhe vetë.
Të mos harrojmë që Hysa ndeshjen e parë në boksin profesionist e ka bërë vetëm në muajin maj të vitit të kaluar dhe deri tani ka zhvilluar gjashtë të tilla, të cilat i ka fituar të gjitha dhe jo më kot ka patur këtë rritje galopante në ranglistën botërore.
Kjo ngjitje kaq e shpejtë ka bërë që ofertat në adresë të boksierit nga Shkodra të shtohen çdo ditë e më shumë dhe tashmë ai do të ketë mundësi të zgjedhë ndër to. Një karrierë e filluar me vonesë në boksin profesionist për të, por gjërat po shkojnë në mënyrën e duhur dhe sigurisht që Nelsoni nuk e ka ndër mend të ndalet këtu.
Gjergj KOLA