Sulmuesi i Barcelonës, Lamine Yamal, në një intervistë për UEFA.com ka folur për fillimet e tij dhe ndryshimet e mëdha që ka përjetuar brenda një viti:

“Kam ndryshuar shumë. Tani kam më shumë besim dhe bëj më shumë gjëra se më parë. Më parë luaja më thjesht, bëja atë që duhej në çdo moment. Tani përpiqem të argëtohem më shumë dhe të frymëzohem nga vetja, duke bërë atë që ndiej në çdo moment. Mendoj se tani luaj me më shumë vetëbesim.”

Nuk i kushton rëndësi statistikave: “Mendoj se çelësi është të japësh më të mirën për ekipin dhe për veten. Nuk jam një lojtar që shikon shumë statistikat. Luaj për t’u argëtuar, për të argëtuar tifozët dhe për të fituar, natyrisht. Nuk më shqetëson nëse dikush tjetër ka më shumë apo më pak se unë. Kur shikoj një ndeshje futbolli të një ekipi tjetër, dua të kënaqem, dua të shoh lojtarë që sfidojnë kundërshtarët me driblimet e tyre… Këtë përpiqem të bëj edhe unë kur njerëzit vijnë në stadium, që të shohin një ndeshje argëtuese. Në fund të fundit, është e rëndësishme që unë të kënaqem në fushë, në mënyrë që edhe njerëzit të kënaqen.”

Për Hansi Flick: “Është një njeri shumë i sjellshëm, me të cilin mund të flasësh lehtësisht. Të pyet si je, të mëson shumë gjëra, dhe unë kam mësuar shumë prej tij. Për këtë arsye respektohet si trajner dhe si person. Është ashtu siç e shihni, i rreptë, por në të njëjtën kohë di se çfarë i nevojitet çdo lojtari në çdo moment. Për sa u përket koncepteve mbrojtëse, më kërkon disa gjëra, por në fazën sulmuese nuk më thotë shumë, vetëm të argëtohem dhe kaq. Kjo është besimi që na jep.”

Për triumfin në Europian: “Më parë isha thjesht një fëmijë, por që nga momenti kur fitova Europianin, gjithçka është ndryshe. Nuk dukem më si një fëmijë, kam më shumë vetëbesim. Kur fiton një trofe, të gjithë lojtarët hedhin një hap përpara, dhe kjo ndihet. E kujtoj ende momentin e golit kundër Francës. Pashë që topi preku shtyllën dhe hyri në rrjetë. Kujtoj festimin dhe faktin që në tribunë, mamaja ime po qante nga emocionet.”

Champions League dhe Kupa e Botës, kompeticionet më të mëdha: “Ka dy turne ku, nëse shënon një gol, ndihesh shumë më i lumtur se kudo tjetër, dhe ato janë Champions League dhe Kupa e Botës. Janë dy kompeticionet më të rëndësishme. Kur dëgjon himnin e Champions-it, të gjithë ndiejnë emocione të forta. Kam shënuar kundër Monakos dhe Atalantës, dhe nuk kisha provuar kurrë atë ndjenjë më parë, përveçse në Europian me golin kundër Francës.”