Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka qenë i ftuar në një forum të hapur të mbajtur në kryeqendrën e Katalonjës, ku ka folur për gjithçka në lidhje me klubin.

Numri një i Barçës ka bërë një bilanc të punës së tij dyvjeçare në krye të klubit, objektivat dhe sfidat e së ardhmes. Ai ka prekur temat më të rëndësishme, që kanë të bëjnë me akuzat për blerje të gjyqtarëve, sherret e La Ligas, Havier Tebas, për Leo Mesin gjithashtu… Duke folur në bashkëbisedimin e hapur, Laporta ka përjashtuar kategorikisht blerjen e gjyqtarëve nga ana e Barcelonës.

BLERJA E GJYQTARËVE – “Për këtë temë kemi planifikuar të mbajmë një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp. Barcelona nuk ka paguar kurrë për të blerë gjyqtarët. Për më shumë Barcelona nuk mendon kurrë të blejë ndonjë gjyqtar. Faktet janë kokëforta dhe bien ndesh me ata që përpiqen të ndryshojnë historinë. Mendoj se ka një fushatë për të dëmtuar interesat e Barçës. Është një fushatë që synon të kontrollojë klubin. La Liga është kundër nesh, sepse nuk kemi firmosur me fondin e investimeve ‘CVC’ dhe po na sulmon me çdo mjet”.

NJË DORË E ZEZË – “Ne e kemi të qartë se nuk mund të vazhdojmë të qeverisim dhe administrojmë klubin duke përdorur leva të ndryshme financiare. Kohët e fundit në shtyp po dalin vetëm lajme të zeza në lidhje me Barcelonën. Me sa duket dikujt nuk i pëlqen që kemi nisur punimet për rinovimin e stadiumit… Ndoshta këto sulme kanë të bëjmë dhe me Super Ligën”.

MESI – “Po, jam takuar me babain e Leo Mesit. Kemi diskutuar për situatat që po kalojmë dhe e kam uruar për titullin në Katar. Kemi folur edhe për një lamtumirë që do t’i bëjmë Leos. Unë dua të respektoj PSG-në dhe nuk dua të flas për një rikthim të Mesit në Barcelonë”.

IKJA E LEOS – “Më duhej të merrja atë vendim të fortë e të vështirë. Sepse klubi është mbi të gjithë. E di që janë të shumtë ata që janë trishtuar, por nuk kishim tjetër zgjedhje”.

TEBAS, ARMIK I LINDUR – “Nuk më bën shumë logjikë sjellja e tij. Ai duhet të punojë për interesin e të gjithë klubeve, Barçën përfshirë. Unë shpresoj që marrëdhëniet mes La Ligës dhe Barçës të përmirësohen, por Tebas është një anti-barcelonas i lindur. Ka shumë raste që vërtetojnë se Barça është një fiksim për të”.

ANSU FATI – “Është një lojtar që na intereson dhe që po përmirësohet. Tani thjesht duhet të vendosë atë çipin që kishte para dëmtimit”.

AFRIMET E MUNDSHME – “E sigurt se do të afrojmë një lojtar krahu, ndoshta dhe një mbrojtës qendre. Por edhe një sulmues. Gjithsesi, nëse duam të afrojmë ndonjërin, duhet të largohet gjithashtu”.

KSAVI – “Kemi kohë që po mendojmë për rinovimin e tij. Nuk do të kemi probleme me të. Po bën një punë të shkëlqyer”.

STADIUMI I RI – “Në sezonin e ardhshëm do të luajmë në ‘Montjuiç’. Sigurisht që do të jetë një periudhë tranzitore delikate. Do të kemi probleme”.