Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka një objektiv të qartë: të zgjasë marrëveshjen aktuale të Hansi Flick me klubin deri në vitin 2028. Sipas mediumit spanjoll Sport, Barcelona konsideron Flickun si trajnerin “ideal” për të udhëhequr projektin e klubit për vitet e ardhshme. Flick, i cili u emërua si trajner i ri i Barcelonës pas një procesi të gjatë kërkimi, ishte një nga preferencat kryesore të Laportës që nga fillimi.
Me një karrierë të suksesshme që përfshin fitimin e Ligës së Kampionëve me Bayern Munich, gjermani shihet si figura e duhur për të rivendosur Barcelonën në kulmin e futbollit evropian. Sipas këtij mediumi, klubi po planifikon të përfshijë një klauzolë unike në kontratën e Flick.
Kjo klauzolë do të lidhë të ardhmen e trajnerit me rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të FC Barcelona në vitin 2026. Nëse Laporta nuk rizgjidhet si president, Flick do të ketë mundësinë të largohet nga klubi pa ndonjë pengesë. Laporta synon të njoftojë marrëveshjen e re këtë verë, duke siguruar stabilitetin dhe planifikimin afatgjatë për skuadrën.
Megjithatë, nënshkrimi i kontratës së re do të varet gjithashtu nga situata financiare e klubit. Barcelona po përballet me sfida të rëndësishme në lidhje me Fair Play-in Financiar, dhe çdo marrëveshje e re do të duhet të përshtatet me kufizimet e pritshme. /Telegrafi/