Trajneri i Kastriotit, Samuel Nikaj, foli në emisionin sportiv në “Radio Shkodra”. Numri një i stolit të krutanëve shpreson që skuadra e tij të fitojë finalen kundër Tiranës dhe ta mbyllë vitin me trofe.

Tekniku shkodran nuk pranon se do të vazhdojë me ekipin e Kastriotit, por shprehet se do të shohë projektin që do t’i paraqitet fillimisht. Në fund do të vendosë nëse qëndron apo jo.

“Kemi mbyllur një sezon të suksesshëm, pasi arritëm objektivat. Kategoria e Parë ka vështirësitë e veta. Nuk ishte e lehtë për t’ia arritur, por ja dolëm mbanë.

Kemi ndeshjen finale me Tiranën dhe shpresojmë se do ta fitojmë për ta mbyllur vitin si duhet. Do të ishte ‘qershia mbi tortë’ e një vitit të suksesshëm.

E ardhmja? Nuk di të them nëse do të jem pjesë e krutanëve apo jo. Nuk e kam menduar këtë pjesë. Kam menduar vetë për dy ndeshjet e mbetura dhe dua t’i mbyll sa më mirë”.

Nikaj flet dhe për Kosovën dhe pranon se ka oferta nga kampionati kosovar i futbollit. Ai shpreh konsideratën e tij dhe për trajnerët kosovarë.

“Kam dy oferta serioze nga Kosova, qoftë nga janari, por qoftë dhe momentalisht. Nuk e di se çfarë do të ndodhë.

Futbollist nuk i dihet asnjëherë. Topi është i rrumbullakët dhe nuk i dihet, ngjarjet sillen shpejt. Më pëlqen Kosova, pasi lojtarët kanë një mentalitet tjetër.

Ata janë mësuar me të keqen dhe janë shumë profesionalë. Nuk thonë asnjëherë u lodha. Udhëtimet e shpeshta nuk janë vetëm për qejf, por dhe për punë. E pranoj se kam oferta nga Kosova”.

Tekniku shkodran pranon se në Kosovë ka nisur një farë xhelozie për teknikët shqiptarë, por mendon se duhet të kthehet dhe busulla dhe ekipet shqiptare të marrin trajnerë nga ky vend. Ai zbulon dhe prapaskenën me Kukësin dhe Besën.

“Trajnerët shqiptarë në Kosovë? Më vjen mirë që ndodhin këto lëvizje, pasi trajnerët shqiptarë kanë gjetur veten mjaft mirë aty.

Mendoj se dhe trajnerët kosovarë mund të marrin ekipe në Shqipëri, pasi kanë nivel. Bylbyl Sokoli, Ismet Munishi, Afrim Tovërlani, etj janë mjaft të zotë.

Besoj se kjo do ishte e mirë, pasi ka një farë xhelozie, por nuk duhet të jetë kështu. Ne jemi një.

Kukësi ka patur kontakte me trajnerë kosovarë dhe ekipi i Besës, por nuk kanë gjetur akordin me ta. Ka disa emra interesantë. Shpresoj të jetë ky trend në vazhdimësi”, – përfundon Nikaj. /EDS