Më 14-janar rinis kampionati dhe te Vllaznia janë në luftë me kohën për të pasur gati ekipin që do të përballojë pjesën e mbetur të sezonit. Burime në klub tregojnë për “Shkodra Sport” se futbollistët që do të afrohen janë piketuar, teksa zyrtarizimet nuk mund të vijnë pa u hapur zyrtarisht merkatoja e janarit.

Realisht, duke qenë se ekipi ka çaluar gjatë këtyre javëve në të gjitha repartet, edhe afrimet do të ndodhin në të gjitha rolet në fushë. Në fakt, në mbrojtje duket se është problematika më e madhe, pasi mungojnë alternativat, sidomos në qendër të saj, ku dëmtimi i malazezit Darko Bulatoviç që ishte titullar, ka lënë një gropë jo të vogël.

Megjithatë, afrimet që do të bëhen janë të varura nga largimet. Pak a shumë, një gjë të tillë e pranoi edhe vetë trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, kur u pyet nga “Shkodra Sport” në lidhje me merkaton e janarit.

Ndërkohë, nga ana tjetër, një dorë do t’u jepet edhe futbollistëve të Akademisë, duke i pasur si alternativa të vlefshme në skuadër në rast nevoje.
Maringlen ZHIVANI