Mesfushori i përfaqësueseve shqiptare U19 dhe U21, Armand Rada, i ka dhënë lamtumirën klubit të Interit për t’u aktivizuar më rregullisht dhe për të provuar që të sigurojë një kontratë si profesionist.

Futbollisti i cili u cilësua nga trajneri i U19 Erion Bogdani si një nga talentet më të mëdhenj të kësaj grupmoshe, ka pranuar transferimin përfundimtar nga skuadra zikaltër, drejt një tjetër ekipi që mban të njëjtat ngjyra, Renate.

Klubi në fjalë gjendet në Serinë C (ish-Lega Pro) dhe kërkon që të ndërtojë një ekip me të rinj premtues që të synojnë jo vetëm paraqitjen dinjitoze në këtë kategori, pro edhe të mund të përgatitin lojtarë për t’ua shitur klubevr të tjera.

Me sa duket Radën e ka tërhequr ky plan projekti i “panterave, siç quhen futbollistët e Renate nga tifozët e tyre, dhe do të vazhdojë karrierën e tij në Serinë C italiane.

Ai largohet nga Interi si një kampion, pasi zikaltërit bënë të tyrin trofeun e kampionatit të të rinjve në Itali në edicionin e fundit.

Rada luajti të tre ndeshjet e eliminatoreve të përfaqësueses U19 vitin e kaluar, ndërsa është grumbulluar këtë vit edhe nga përfaqësuesja U21, por nuk a debutuar ende me të. /vipsport/