Partizani dhe trajneri Orges Shehi mbyllën para disa ditësh bashkëpunimin, me trajnerin që u largua kështu pas aventurës në Kupat e Europës. Tashmë, drejtuesit e kuq kanë nisur nga puna për të emëruar teknikun që do të drejtojë ekipin në sezonin e ri, edhe pse përkohësisht skuadra është nën drejtimin e drejtorit sportiv Arbër Abilaliaj.
“SuperSport” mëson se të kuqtë dëshirojnë dhe kanë kontaktuar Ivan Gvozdenovic që aktualisht është në krye të Skënderbeut. Por, trajneri serb iu ka bërë të ditur se është nën kontratë me korçarët dhe në këtë formë nuk mund të vendosë për të ardhmen e tij.
Të gjendur para kësaj situate, drejtuesit e Partizanit kanë vendosur të kontaktojnë me presidentin Ardian Takaj, dhe në rast se gjejnë gjuhën e përbashkët me numrin një të Skënderbeut, atëherë do të firmosin me Ivan Gvozdenovic.
45-vjeçari është në krye të Skënderbeut prej dy vitesh duke i ngjitur bardhekuqtë në Superiore pas rënies në Kategorinë e Parë ndërsa në sezonin e fundit, i renditi juglindorët në vendin e katërt duke siguruar pjesëmarrjen në “Final Four”.