Nuk është i pari që e ka nisur kështu. Edhe Mbreti I futbollit, Maradona, luajti në fushat me baltë në Argjentinë, ashtu si Myrto Uzuni e bëri në Shqipëri. Djaloshi i lindur në Berat, ngjiti të gjitha shkallët e karrierës duke arritur deri në Champions, e duke tërhequr vëmendjen e mediave spanjolle, në prag të duelit ndaj Barcelonës.

E përditshmja e Madridit, “AS”, i mori një intervistë shqiptarit 25-vjeçar të Ferencvaroshit, kur ai rrëfeu historinë e tij. Uzuni tregoi sakrificat e familjes së tij, që shkoi në emigracion në Greqi, ku edhe ai u detyrua të punonte, dhe u kthye në Shqipëri që djali I tyre të kishte mundësi të bëhej futbollist.

Ai i foli gazetarit Alberto Martinez sesi lante pjatat bashkë me mamanë e tij, duke provuar jetën e vështirë larg shtëpisë. Gjithsesi, u kthye, dhe që nga balta e fushave të ekipeve të moshave, e që nga sherret e atyre viteve 2013-2015, ai kaloi më në fund tek Laçi ku e tregoi veten dy vjet më parë.

Pasi shënoi golin e kualifikimit të skuadrës kurbinase të trajnerit Besnik Prenga, në Ligën e Europës ndaj Anorthosisit të Qipros në korrik 2018, 23-vjeçari i hapi vetvetes dyert e Europës. Hapi i parë ishte drejt Kroacisë, tek Lokomotiva e Zagrebit ku e ndihmuan edhe lidhjet e ish-trajnerit të tij, Prenga, njeri i brendshëm i klubit.

Shënoi gola të rëndësishëm, duke u kthyer në lojtarin më të rëndësishëm të ekipit, dhe shpejt erdhën kërkesat për më lart. Në 27 korrik të këtij viti firmosi kontratën e radhës, atë me Ferencvaroshin e Budapestit, një nga klubet më të shquar të Hungarisë që ia bleu kartonin plot 1.8 milionë euro.

Me kampionët hungarezë mori pjesë menjëherë në Champions, ku shënoi dy gola në raundet eliminatore, duke ndihmuar skuadrën që të kalonte pengesat dhe të arrinte në fazën e grupeve për herë të parë pas 25 vjetësh.

Festimi i tij pas suksesit u bë videoja më e famshme e futbollit hungarez të klubeve, dhe Uzuni u bë idhulli I tifozëve. I mësuar të luftojë përballoi edhe infektimin me koronavirus, duke humbur ndeshjet e para ndaj Barcelonës e Dinamos së Kievit, duke u kthyer në sfidën e parë ndaj Juventusit e duke lënë shenjën në Champions me golin shënuar pikërisht në stadiumin juventin, në shtëpinë e Cristiano Ronaldos.

Pasi shqiptari imitoi festimin e portugezit, superylli i Juves shkëmbeu me kënaqësi fanellën me të. Në kombëtaren e Shqipërisë gjithashtu ai është një lojtar i rëndësishëm, ndonëse ndonjë fërkim e ka pasur për shkak të mos aktivizimit të shpeshtë nga trajneri Reja.

Talentit shqiptar nuk është e tepërt t’i theksojmë se duhet të jetë i lumtur që ka rastin ta veshë fanellën kuqezi, e që nuk duhet t’i harrojë fushat me baltë, ashtu siç nuk i harroi legjenda Maradona, që pranoi të luante aty për hir të shokëve e tifozëve, edhe kur ishte bërë numri 1 I botës. /abcnews/